Kushtet e përdorimit
Përditësuar më 18 nëntor 2026
Këto kushte vlejnë për këdo që përdor Eja Jobs. Duke krijuar llogari, i pranon ato.
1. Çfarë është Eja Jobs
Eja Jobs është një platformë ku firmat dhe personat privatë postojnë punë ditore, javore dhe mujore, dhe punëtorët aplikojnë për to. Eja Jobs vetëm i lidh palët.
- Eja Jobs nuk është punëdhënës, agjenci punësimi apo palë në marrëveshjen mes jush.
- Pagesa për punën bëhet drejtpërdrejt mes punëdhënësit dhe punëtorit. Eja Jobs nuk e merr, nuk e mban dhe nuk e garanton atë.
- Kontrata, sigurimi, tatimet dhe kontributet janë përgjegjësi e palëve, sipas ligjeve të Kosovës.
2. Llogaria
- Hyrja bëhet me llogari Google. Një person mban një llogari.
- Të dhënat që shkruan duhet të jenë të vërteta: emri, telefoni, viti i lindjes, të dhënat e firmës.
- Për t'u regjistruar si punëtor duhet të kesh së paku 15 vjeç. Personat nga 15 deri në 18 vjeç mund të pranojnë vetëm punë të lehta dhe jo të rrezikshme. Punët e rënda nuk u shfaqen atyre.
3. Rregullat për punëdhënësit
- Posto vetëm punë të vërteta, me pagën, kohën dhe vendin e saktë.
- Mos kërko para nga punëtori për asnjë arsye (regjistrim, uniformë, garanci).
- Mos posto punë të paligjshme ose të rrezikshme pa masat e sigurisë.
- Paguaje punëtorin siç jeni marrë vesh.
4. Rregullat për punëtorët
- Apliko vetëm për punë që ke ndërmend t'i bësh.
- Nëse të pranojnë dhe nuk mund të shkosh, lajmëroje punëdhënësin sa më herët.
- Mosparaqitja në punë pa lajmërim mund të ndikojë në vlerësimin me yje që të jep punëdhënësi.
5. Vlerësimet
Pas një pune të pranuar, të dyja palët mund ta vlerësojnë njëra-tjetrën me 1 deri në 5 yje. Vlerësimet duhet të jenë të sinqerta dhe të lidhen me punën e kryer. Vlerësimet e rreme nuk lejohen.
6. Çfarë nuk lejohet
- shpallje të rreme, mashtrime ose kërkesa për para;
- përmbajtje fyese, diskriminuese ose e paligjshme;
- përdorimi i numrave të telefonit të të tjerëve për qëllime që nuk lidhen me punën;
- hapja e llogarive me të dhëna të rreme.
Çdo shpallje ka butonin "Raporto". Eja Jobs mund të heqë shpallje dhe të mbyllë llogari që i shkelin këto rregulla.
7. Çmimet
Për punëtorët platforma është gjithmonë pa pagesë. Deri më 18 dhjetor 2026 platforma është falas për të gjithë. Pas kësaj date, për postimin e punëve vlejnë këto çmime:
- Person privat: 0.99 € për postim
- Firmë: 1.99 € për postim, 4.99 € në javë ose 9.99 € në muaj
Këto çmime janë për përdorimin e platformës dhe nuk kanë lidhje me pagën e punës, e cila bëhet drejtpërdrejt mes palëve. Nëse data e fillimit të pagesave ose çmimet ndryshojnë, njoftimi bëhet në këtë faqe para se ndryshimi të hyjë në fuqi.
8. Përgjegjësia
Eja Jobs nuk i verifikon me dokumente përdoruesit dhe shpalljet, përveç rasteve kur një profil ka shenjën "E verifikuar". Çdo palë vendos vetë me kë punon. Eja Jobs nuk mban përgjegjësi për cilësinë e punës, pagesën, dëmet ose mosmarrëveshjet mes palëve. Platforma ofrohet siç është dhe mund të ketë ndërprerje.
9. Mbyllja e llogarisë
Llogarinë mund ta fshish vetë në çdo kohë te "Llogaria" → "Fshi llogarinë".
10. Ndryshimet dhe kontakti
Nëse i ndryshojmë këto kushte, versionin e ri e vendosim në këtë faqe me datën e përditësimit. Për pyetje na shkruaj në info@ejajobs.com. Shih edhe Politikën e privatësisë.